Të nderuar pjesëmarrës dhe të ftuar në Kongresin e 3të të Jashtëzakonshëm të Partisë “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”! 

Më lejoni që në radhë të parë t’u falënderoj për predispozitën tuaj të bëheni pjesë e angazhimit tonë për t’i dhënë politikës së Minoritetit Etnik Grek, pse jo dhe politikës shqiptare, dimensionet e duhura dhe frymën e përshtatur me kohën dhe të ardhmen e saj. Me këtë rast t’ju uroj një Vit të mbarë, plot shëndet dhe të suksesshëm në jetën dhe në punën tuaj! 

Së dyti, dua të qartësoj se nisma ime për t’u marrë me politikë nuk duhet trajtuar me mentalitetin se një lule nuk sjell pranverën, por me optimizmin se "hapi i parë është fillimi i gjithçkaje". 

Çdo njeri është një bërthamë e një sistemi politik. Aftësia formuese rreth tij është ajo që i jep mundësinë e vlerësimit dhe krijimit së idealeve të tij. N.q.s. kjo qenie politike nuk bashkohet me idealistet e vet, me pikëpamje të përafërta, ajo asimilohet në kohë dhe rifillon hapat tërësisht nga e para. 

Pra arsyeja e iniciativës time për të marrë drejtimin e partisë MEGA ishte pikërisht kjo, të cilën bashkatdhetarët e mi shikonin te performanca ime si mjek, një njeri i cili pa interes i nënshtrohet kësaj nisme. Duhet bërë e qartë se nuk e morra iniciativën për t’u marrë me politikën si përfitues, por si kontributor dhe organizator i pjesëtarëve të Minoritetit Etnik Grek dhe më gjerë, për të përhapur këtë parti kudo në Shqipëri por edhe në diasporë. 

Dinamika jonë, si komunitet, për zhvillim dhe inovacion ka qenë e mahnitshme në mbarë botën. Kudo ka pjesëtarë të cilët kanë kontribuar dhe kontribuojnë tek shoqëritë që marrin pjesë, por vlera e tyre dhe kontributi i tyre nuk është "shfrytëzuar" në thonjëza nga ana jonë. 

Ndër vite kemi kontribuuar në Shqipëri, me pjesëmarrje më të madhe se përqindja jonë e popullsisë, në çdo aspekt të jetës shoqërore, qoftë në arsim, në arte në krijimtari në ekonomi, në industri, në ndërtim apo kudo tjetër, por me një pjesëmarrje më të ulët në vendimmarrje politike. 

Jemi një komunitet i shpërndarë në gjithë Shqipërinë dhe gjithmonë kemi adhuruar vlerat njerëzore, kulturën, artet, shkencën, të cilat i kemi ruajtur dhe kultivuar jo vetëm në gjirin tonë por kudo ku bashkëjetonim. Këto vlera ka admiruar te ne edhe populli shqiptar. Pra ky është dhe misioni ynë i ri, me këtë forcë politike, t’i ridimensionojmë këto vlera dhe mbi të gjitha të riorganizojmë këtë forcë shoqërore për të mirën e fëmijëve tanë.  

E ardhmja janë fëmijët, fëmijët tanë dhe gjithë fëmijët e vendit tonë . N.q.s. nuk mendojmë se ata na përkasin të gjithëve, pavarësisht besimit politik, fetar apo prejardhjes etnike, atëherë do të mbetemi të zhgënjyer në të ardhmen e përbashkët njerëzore dhe paqësore. 

Fëmijët duhen edukuar me virtyte njerëzore dhe Minoriteti Etnik Grek e ka dhënë shembullin e veçantë për këtë edukim në shoqërinë shqiptare. 

Pikërisht këtu qëndron kontributi ynë si forcë politike. Historikisht kemi dëshmuar vlera të mëdha morale dhe edukative të cilat në bashkëpunim me gjithë faktorët e tjerë politikë, ideologjikë dhe shoqërorë të hedhim bazat e një të ardhmeje të lumtur dhe të begatë. 

Marrëdhëniet tona me forcat e tjera politike janë të nevojshme dhe të pashmangshme, por që të jenë afatgjata duhet të jenë të sinqerta dhe të ndershme. Sado simpati të krijohet mes nesh në politikë, meritokracia dhe barazia proporcionale është ajo që do na krijojë jetëgjatësi në marrëdhëniet tona. Ne si minoritet etnik nuk mund të trajtohemi dhe as duhet të bëhemi mollë sherri midis forcave politike apo interesave personale të personave apo grupimeve. 

Në bashkëpunim me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare do krijojmë, brenda mundësive tona, platforma të cilat në bazë të konventave ndërkombëtare të na jepet e drejta për integrim të gjithanshëm. 

Minoriteti etnik ka kontribuuar në çdo cep të Shqipërisë me intelektualët e tij, të cilët janë shquar për aftësitë e tyre intelektuale, profesionale dhe dije mbi ekonominë. Sistemi para vitit 90 i transferonte me detyrim njerëzit tanë pikërisht për këto aftësi dhe dhunti që zotëronin. 

Sot, parimi ynë është t’i bëjmë bashkatdhetarët tanë kudo në botë të rikrijojnë një shoqëri të begatë dhe të lumtur për fëmijët tanë. Aftësitë e tyre janë shumë më cilësore nga pikëpamja edukative, ekonomike dhe morale, por nuk kanë krijuar besimin se një forcë politike mund të ketë vullnetin për të krijuar mundësitë që ata ta ofrojnë këtë kontribut. 

Partia jonë do të përqafojë këto vlera të pa shfrytëzuara dhe do t’i aktivizojë për të mirën e zhvillimit, të edukimit dhe të begatisë në vendlindjen tonë të dashur. 

Ndërkohë, forca jonë politike ka misionin e madh të krijojë mjedisin e duhur që gjithë grekët etnikë në Shqipëri të bashkëpunojnë në mënyrë humane, krijuese dhe kontribuuese midis tyre për të arritur atë që besojmë: Unitetin dhe prezencën dinjitoze të Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri dhe begatinë e tij në vendlindjen e tij historike 

Faleminderit!